Një histori mashtrim-dashurie

Si mundi gruaja më e pasur në botë ta tradhtonte bashkëshortin për një zhigolo mashtrues zviceran, i cili arriti t‘i zhvaste miliona dollarë përmes shantazheve. Ngjarja nisi në një qendër superluksoze, “Lanserhof health spa”, në Insbruk, Austri. Ishte vera e vitit 2007 dhe një grua bionde tërheqëse, 45-vjeçare, ishte ulur e qetë duke shijuar diellin e korrikut dhe duke lexuar librin e famshëm të Paolo Coelho-s, “Alkimisti”. Ishte e vetme, por jo edhe për shumë kohë. Gruaja ishte trashëgimtarja Susanne Klatten, një nga femrat më të pasura në botë dhe aksionerja më e madhe e kompanisë së makinave “BMW”, njëkohësisht një prej viktimave më spektakolare të mashtrimeve të kohëve moderne. Teksa pushonte, Klatten-it i tërhoqi vëmendjen një burrë me syze, biond, i gjatë dhe shumë elegant. Emri i tij ishte Helg Sgarbi, një vit më i vogël se ajo në moshë. Pasi i afrohet, Sgarbi i thotë: “Libri im i preferuar”. “E ke lexuar?”, i përgjigjet ajo.

Pastaj ai nis të tregojë: “E kam kaluar fëmijërinë time në Brazil, te vendi i këtij autori. Të lexoje ka qenë shumë e rëndësishme për mua. Historia ka qenë si një Bibël. Ka një mesazh shpirtëror në të. Ju duhet të besoni tek ëndrrat, sepse pasi besoni, mund t‘i ndiqni dhe pastaj t‘i realizoni”. Klatten, nënë e tre fëmijëve, në fillim ishte rezervuar shumë. Si një prej anëtareve të dinastive më të famshme gjermane, Quandts, ajo e kishte kaluar gjithë jetën e rrethuar nga truprojat dhe fshehtësia. Por, shumë shpejt ajo do të binte në kurthin e djaloshit simpatik, Sgarbi. Që në momentin e parë që e dëgjoi të fliste, Susanne u ndje shumë mirë. E vetmja gjë që ajo nuk dinte ende ishte se kishte qenë gjahu i këtij burri të rafinuar zviceran, një njeri që e kishte fituar gjithë pasurinë e tij si një zhigolo profesionist dhe shantazhist nga lidhjet sentimentale me gratë e pasura e më të mëdha se ai në moshë. Zakonisht ai vërtitej nëpër hollet e hoteleve të mëdha, për të parë me kujdes gratë e reja të borgjezisë së lartë. Ulej në një qoshe modeste të hotelit, merrte në duar një shishe uiski dhe në fytyrë stamponte një pamje të trishtuar. Më pas dhuronte një vështrim, sikur dëshironte t‘i thoshte botës femërore “më ndihmoni”, deri sa ndonjëra prej tyre të binte në kurth. Sgarbi donte të zbulonte gjithçka rreth gruas që kishte përballë në atë mëngjes të ngrohtë korriku. “Ishte simpatik dhe shumë i kujdesshëm në ato çka bënte, por dukej vërtet i trishtuar”, pati thënë Susann. Ai punonte në fshehtësi me një pronar italian hotelesh të quajtur Ernano Barretta, që kishte një organizatë të specializuar në zhvatjen dhe fundosjen e femrave të pasura, që sipas akuzave drejtohej nga italiani. Mekanizmi i mashtrimit dhe i zhvatjes ishte i thjeshtë: Sgarbi joshte zonjat e pasura, duke krijuar me to lidhje sentimentale, ndërkohë që Barreta filmonte marrëdhëniet intime. Më pas videot përdoreshin për t‘u bërë shantazh viktimave dhe për t‘u marrë para. Edhe biseda e shkurtër e Klatten-it dhe Sgarbi-t rreth novelës “Alikimisti” ishte një nga joshjet më të jashtëzakonshme të kohërave tona. Vetëm brenda pak muajve, trashëgimtarja e pasur e “BMW”-së i dha Sgarbi-t 8 milionë euro para në dorë.

“Lanserhof spa” është vendi ideal për të bërë për vete dikë.

Ai është qëndrimi i preferuar për jahtet dhe njëherë miliarderi rus, Roman Abramovich, shpenzoi 700000 euro për dy javë pushime me familjen aty. Mëngjesin tjetër, Klatten ra dakord të bënte një shëtitje me Sgarbi-n, për të shijuar bukurinë përrallore që rrethonte këtë qendër. Ai i tregoi trashëgimtares së magjepsur tashmë se ishte nipi i një hebreu polak, por që shkoi me familjen në Rio de Zhaniero kur ishte pesë vjeç. Më pas u kthye në Europë kur ishte adoleshent, për të studiuar Drejtësi në Universitetin e Zyrihut. Ai i rrëfeu se kishte punuar për “Credit Suisse Bank” dhe kishte ngritur një agjenci përkthimi për shkak se zotëronte në mënyrë të jashtëzakonshme gjashtë gjuhë të huaja. Sigurisht këto nuk ishin asgjë tjetër përveçse një mal me gënjeshtra që Sgarbi i kishte perfeksionuar gjatë zanatit të tij si zhigolo profesionist dhe mashtrues. Për më tepër ai i tregoi Susanne-s se kishte punuar si këshilltar në qeverinë zvicerane dhe që shpesh nisej për misione sekrete në llogari të saj. Gënjeshtra e radhës ishte ajo për martesën me një vajzë zvicerane një vit më parë, lidhje që kishte përfunduar dhe e kishte lënë me zemër të thyer. Si një grua që e kishte kaluar gjithë jetën e saj e rrethuar nga fshehtësia, Klatten jo vetëm që nuk dyshoi, por i besoi të gjitha menjëherë. “Ishte tërheqës, i matur dhe në të njëjtën kohë dukej një njeri i dëshpëruar. Kjo më bëri të besoja se kishim diçka të përbashkët”, i tregoi ajo më vonë policisë. Kur biondja 45-vjeçare u largua nga qendra e pushimit për në shtëpi, ku e priste burri dhe tre fëmijët, ende nuk e kishte marrë veten. Pranoi të takohej sërish me Sgarbi-n, t‘i jepte atij numrin e celularit, por mbi të gjitha t‘i tregonte se kush ishte. Pasi u surprizua pa masë kur mori vesh se kush ishte Susanne, një tjetër shtirje e tij, tri javë më vonë, sipas policisë, çifti bëri dashuri për herë të parë në një hotel në jug të Francës, jo shumë larg shtëpisë së pushimit të familjes së Susann. Lidhja po vazhdonte me ritme të shpejta. Kur ajo u kthye në Mynih, në gushtin e shkuar, Klatten nisi ta takojë Sgarbi-n në hotele brenda në qytet. Në fund të shtatorit, më pak se dy muaj që nga takimi i tyre i parë, ai i tregoi për problemin financiar që Susann-ës i kushtoi 8 milionë dollarë. Duke i treguar se duhej të shkonte në SHBA me një “mision sekret” nga qeveria zvicerane, Sgarbi u zhduk nga qarkullimi dhe kur u kthye nuk solli aspak lajme të mira. Ai i tha Susanne-s se i nevojiteshin shtatë milionë euro, sepse kishte përfunduar në duart e mafies amerikane për një aksident automobilistik, ku kishte vrarë pa dashje një vajzë. Paratë i duheshin që t‘ia jepte babait të vajzës “për të shmangur pasoja më të rënda”. Më siguronte gjithmonë se do të m‘i kthente, madje dyfishin”, shton ajo, duke thënë se ishte e sigurt që ato euro ai nuk do t‘ia kthente kurrë. Dy muaj më vonë, më 2 nëntor, Susanne Klatten merr një telefonatë anonime, ku e kërcënojnë se do të publikojnë fotot vulgare të takimeve të saj me Helg Sgarbi-n. Duke qenë se nuk kishte zgjidhje tjetër, gruaja vendosi t‘i tregonte gjithçka bashkëshortit dhe familjes, më pas iu drejtua policisë. Më 12 dhjetor të 2007-ës ajo merr një pako anonime, brenda së cilës kishte një letër dhe një DVD. Sgarbi kërkonte 49 milionë, por iu dhanë vetëm 14 milionë euro. Gjatë takimit ai u arrestua nga policia. Sipas gjykatës, videoja ishte realizuar nga italiani që bashkëpunonte me Sgarbi-n. Ai, kur çifti takohej në hotel, filmonte gjithçka nga një tjetër dhomë komunikuese. Susanne Klatten, bashkë me nënën Johanna dhe vëllain Stephan, gëzojnë 46 për qind të aksioneve të “BMW”-së. E gjithë pasuria e saj arrin në 13 miliardë dollarë. Sgarbi u dënua më 9 mars të këtij vitit me gashtë vjet burg dhe u paraqit në gjykatë i veshur me kostumin e tij gri të errët, që e bënte të dukej më shumë si një biznesmen. Edhe pse gjashtë vitet në vazhdim do t‘i kalojë në burg, ai nuk dukej i mërzitur, madje herë-herë dhuronte edhe ndonjë buzëqeshje. Ndoshta sepse kur të dalë nga burgu do të ketë mundësi të shijojë “frytet” e punës së tij. Bëhet fjalë për një shumë mbi 12 milionë euro, të cilat i ka fituar duke u dhuruar dashuri grave pasanike të gjysmës së Europës, një thesar që nuk u gjend kurrë. Por, mbi të gjitha, gjashtë vjet nuk janë shumë, sidomos nëse dikush mendon se ka ende miliona të fshehura për t‘i shfrytëzuar. Ndërkohë, në shtëpinë e saj në Mynih, Susanne Klatten merr frymë e lehtësuar, sepse bashkëshorti e ka falur dhe mbështetur. Si pasojë e kurajës së saj, zhigoloja zviceran nuk “do të gjuajë” më gra të pasura. Të paktën për momentin.

Leave a Comment